Para 5 vjetësh, Qeveria e Kosovës i vuri themelet e diplomacisë kosovare, legjitime dhe të pranuara nga shtetet e fuqishme. Tashmë kur Kosova po i afrohet 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, me të drejtë mund të pyesim se cili është stadi i zhvillimit të politikës së jashtme kosovare dhe cilat janë sukseset e saj në bërjen e numrave (por jo vetëm) të njohjes së shtetësisë së Kosovës nga më shumë shtete?!
Të vetëdijshëm për mungesën e kuadrit akademik dhe profesional nga kjo fushë, Kosova është gjendur përballë deficitit me emra të përfaqësuesve të saj diplomatikë, por, pavarësisht kësaj, domosdo duhet të “ngrihemi në këmbë” drejt funksionalizimit të diplomacisë së vendit, akoma pa ditur mirë “të ecim”.
Në vazhdën e konsolidimit të shtetit të Kosovës, si dhe forcimit të pozicionit ndërkombëtar të saj, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me vendet mike, të cilat e njohën shtetin më të ri, padyshim se ishte domosdoshmëri e kohës, drejt thellimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor.
Puna e institucioneve të Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, përkatësisht e MPJ-së, nuk ka përmbushur krejtësisht pritjet e përgjithshme, por, marrë parasysh rrethanat politike dhe ekonomike në të cilat gjendet vendi ynë, mbase pesimizmi dhe kritikat e tepërta do të ishin joreale.
Inaugurimi i ambasadave dhe konsullatave të Kosovës në dhjetëra kryeqytete dhe qytete të shteteve të botës, kryesisht të Evropës, i dha shpresë qytetarit të Kosovës se tashmë do të thellohet fryma e bashkëpunimit me institucionet dhe me qytetarët e vendeve pritëse .
Gjithashtu, u mendua se këto shtete të fuqishme, mike të Kosovës, në mënyrë (in)direkte do të ndikojnë tek ato shtete më pak të zhvilluara, e të cilat kanë njëfarë aleance apo varësie politiko-ekonomike.
Për fatin e mirë të Kosovës, individë dhe shtete të ndryshme kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin iniciativa lobimi që vendi ynë të njihet shtet i pavarur. Këta individë janë të shumtë dhe janë diplomatë të njohur botërorë, liderë shtetesh, të cilët lobimin e tyre po e shprehin qoftë përmes deklaratave të ndryshme, qoftë përmes veprimit të tyre në terren. Në këtë drejtim rol të veçantë ka dhënë SHBA-ja, që vazhdon të ketë ndikim vendimtar në proceset politike për Kosovën, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe brenda territorit të saj.
Përveç SHBA-së, vërehet edhe roli mjaft pozitiv i Turqisë në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, e cila së voni fuqishëm loboi edhe tek autoritetet e Pakistanit, e që solli konkretizimin e njohjes nga Islamabadi zyrtar, pa dashur ta mohoj koordinimin dhe përpjekjet e politikës së jashtme kosovare karshi strategjisë për njohje.
Siç veproi Turqia te Pakistani, mbase të njëjtën mund ta bënte edhe Portugalia ndaj vendeve të Mahgrebit (për botën arabe i njohur si Maghrib, e që janë Tunizia, Algjeria, Maroku, Libia, Mauritania), që tash e një kohë është prioritet i politikës së jashtme portugeze dhe për faktin se Portugalia është një nga investitorët më të mëdhenj atje. E mira e së mirës do të ishte sikur Kosova të kishte jo vetëm ambasador jorezident në Lisbonë, por edhe përfaqësinë e saj diplomatike dhe në mënyrë të vazhdueshme të kërkohet mbështetja te shtetet e Mahgrebit.
Me qëllim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Portugalisë dhe vendeve të Mahgrebit, sidomos të Algjerisë, janë nënshkruar disa marrëveshje, që u intensifikuan prej viteve ‘99 e tutje, dhe ky pranim i thjeshtë i pjesëmarrjes portugeze në planin e zhvillimit të Algjerisë kishte një prapavijë politike, përtej marrëdhënieve tregtare: e lejoi Algjerinë që të diversifikojë partnerët e saj të jashtëm, për ta bërë Portugalinë një aleat të qëndrueshëm në Evropë. Nga ana tjetër, Portugalia kishte dhe ka nevojë për të nxitur eksportet, si dhe mundësitë e biznesit përtej Evropës.
Për shkak të historisë dhe kulturës së saj, Portugalia nuk konsiderohet si një vend i huaj në rajonin e Mahgrebit. Prandaj, intensifikimi i bashkëpunimeve konkrete mes Prishtinës dhe Lisbonës mbase do të ishte indikator i mjaftueshëm që Portugalia, pas mbi 4 vjetësh të njohjes së Kosovës, të lobojë në Algjeri, Tunizi, Marok, Libi, Mauritani, duke e zhveshur propagandën serbe që arrin ta kultivojë akoma tek këto shtete, me të cilat vazhdon të ketë marrëdhënie të mira diplomatike, me disa nga këto të krijuar qysh në kohën e ish-Jugosllavisë titiste, rreth 50 vjet më parë.
Republika e Kosovës e ka përkrahur Pranverën Arabe, që si pikënisje kishte Tunizinë në përmbysjen e regjimeve në këto vende.
Tani pas rrëzimit të regjimeve autoritare, dalëngadalë po fillon një qasje e re e këtyre shteteve ndaj Kosovës, sidomos e Tunizisë.
Vizita e ministrit Enver Hoxhaj para pak ditësh në Tunizi dhe takimi me përfaqësuesit e këtij vendi është një hap i mirë drejt krijimit të marrëdhënieve me këtë shtet, por me gjithë përpjekjet e mëdha të MPJ-së, rezultatet janë modeste edhe për shkak të interferencave të brendshme të shteteve të Maghrebit dhe më gjerë.
Prandaj meqë rajoni i Maghrebit ka dëshmuar të jetë një destinacion me interes të konsiderueshëm për zgjerimin e investimeve portugeze dhe zhvillimin e kontakteve politike, duke punuar nën logjikën e diversifikimin e marrëdhënieve të vendit me fqinjët e saj dhe duke promovuar shkëmbimet më të mëdha ekonomike, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës do të duhej ta hapte përfaqësinë e saj diplomatike në Lisbonë, duke intensifikuar lobimin që Lisbona zyrtare të luajë rolin e “shkuesit” për Kosovën te vendet e Mahgrebit.
.
(Autori është kandidat master për diplomaci dhe bashkëthemelues i Qendrës Kosovare për Diplomaci)
Botuar në Bota Sot dhe Iliria News Agency, 24 Janar 2013.

You must be logged in to post a comment.