Heshtja e diplomacisë së Kosovës
KCD-Kosova | 17.04.2011 • Labinot Hajdari
Që nga viti 2008, atëherë kur qeveria e Kosovës vuri gurëthemelet e diplomacisë kosovare, legjitime dhe të pranuar nga shtetet e fuqishme ndërkombëtare lirisht mund të konkludojm se ‘’argatët’’e diplomacisë kosovare nëpër botë ishin dhe vazhdojnë të jenë të përgjumur karshi përgjegjësive që bartin mbi supet e tyre.
Diplomati dhe autori anglez Henry Wotton shpesh ka cituar se: “Një ambasador është një zotëri i ndershëm, i dërguar jashtë vendit për të gënjyer për të mirën e vendit të tij.” (Wotton ishte ambasador britanik në Venecia).
Ambasadorët kosovar nuk përkojnë aspak me citatin e Wotton-it, ata vazhdojnë të mos ‘’gënjejnë’’ për të mirën e vendit, vazhdojnë të mos zgjohën nga gjumi i thellë që i ka kapluar.
Diplomacia tradicionale në mënyrë aktive angazhohet nga një qeveri me një qeveri tjetër. Zyrtarët e ambasadës përfaqësojnë qeverinë e vendit prej nga vijnë në një vend pritës kryesisht duke ruajtur marrëdhëniet zyrtare të politikës dhe biznesit, gjithmonë në emër të shtetit të tyre me ata të qeverisë pritëse.
Në mungesë të kuadrit akademik dhe profesional nga kjo fushë, në mungesë të traditës diplomatike, Kosova është gjendur përballë deficitit me emra të përfaqësuesve të saj diplomatik, sepse çfardo (ri)emërimi i deri tanishëm s’janë asgjë tjetër përpos emra të politikës ditore.
Dihet roli dhe përgjegjësitë që kanë diplomacitë nëpër botë. Dihet efekti i tyre politik, ekonomik, social e kulturor që duhet të ketë për të mirën e vendit që përfaqësojnë! E çfarë roli na paskan ambasadat e Kosovës, çfarë të mira të tilla i sollën Kosovës deri më tani?!
Ata bënë fare pak për Kosovën dhe kosovarët që jetojnë në shtetetët përkatëse.
Përveç celebrimit të 17 shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës, thuajse pak tjetër mund të mbajmë në mend nga agjendat e tyre.
Në fakt na kujtohet edhe tentim evakuimi i kosovarëve nga vendet e Lindjës së Mesme! Por çfarë evakuimi se…!
Sulmi i nacionalistëve serbë në Ambasadën e Kosovës në Paris, në përvjetorin e tretë të pavarësisë, na bënë të kuptojmë që Ministria e Punëve të Jashtme nuk arrinë as në sigurimin e mjaftueshmërisë dhe masave të ndërmarra për sigurimin e përfaqësive diplomatike, siguri kjo që duhet kërkuar nga vendet pritëse.
Kosova deri më tani përfitoj shumë pak nga ‘’argatët’’ e saj. Kontributi i tyre që lirisht mund të thuhet se është shumë më i vogël se ato kontribute individuale që bënin dhe bëjnë individë vendor e ndërkombëtar që janë jashtë ombrellës menagjuese dhe financiuese të institucioneve të vendit.
Kosova përballet me deficit të lartë të kuadrit diplomatik si dhe me mungesë të traditës diplomatike.
Marrë parasysh situatën pas shpalljës së Pavarsisë dhe domosdoshmërisë së madhe për një lobim sa më të fortë që të njihemi si shtet nga më shumë vende të cilat nuk na kanë njohur ende, duke parë mungesën e një diplomacie efektive, fatmirësisht individë dhe shtete të ndryshme vazhdojnë të marrin iniciativa dhe po lobojnë që Kosova të njihet shtet i pavarur. Këta individë janë të shumtë dhe janë diplomatë të njohur botërorë, të cilët lobimin e tyre po e shprehin qoftë përmes deklaratave të ndryshme, qoftë përmes veprimit të tyre në terren. Në këtë drejtim rol të veçantë kanë dhënë SHBA-të që vazhdojnë të kenë impakt vendimtar në proceset politike për Kosovën, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe brenda territorit të saj.
Ambasadorët tanë bënë fare pak për mërgatën tonë. Nuk bënë asgjë për ata emigrantë kosovarë që kanë humbur rrugën e shpresës, pa një pasaport apo një copë letër të vendit ku jetojnë dhe pa asnjë motiv shtesë për një rikthim në vendin prej nga vijnë.
Nuk tentuan për të krijuar ndonjë lehtësirë për mundësi studimi për të rinjët kosovar, nuk arritën që në bashkëpunim me universitetet e vendeve prej nga edhe veprojnë, të sigurojnë qoftë dhe një ‘’agreement’’ të vetëm, kuptohet aq sa dijmë, se mbase mundësi të tilla u kanë krijuar familjarëve të tyre.
Nuk u arritë që përmes ambasadave të Kosovës atje t’ju mundësohet mërgatës tonë votimi në zgjedhjet lokale të 2009-ës dhe as në ato të përgjithshme të 2010-tës. Asgjë nuk u bë, thjesht një objekt, një flamur dhe ca njerëz që marrin para nga bugjeti i Kosovës. Mund të thuhet se nuk kemi bugjet të mjaftueshëm për situata të tilla?! Mbase edhe s’kemi, por paskëmi bugjet të ‘’mjaftueshëm’’për zgjedhje të herë pas hershme dhe të ‘’pa nevojshme’’ sa për të plotësuar tekat e njërit apo tjetrit subjekt politik!
E di, një aktivitet i tillë aq i mangët siç bëhet tani në emër të Kosovës do të mund të ushtronin dhe ambasadat e shtetit shqiptar, meqë kur krahasojmë punën e tyre (ambasadave të Kosovës) me shpenzimet që bëhen për ta, ’’feedback-u’’ i tanishëm është barabartë me zero.
Diplomacia kosovare është e dobët, sepse është ‘’pjellë’’ e një sistemi të tillë politik, është pjesë e një miltantizmi partiak çfarë ne e kishim dhe e kemi sot. Ajo nuk konceptohet si institucion profesional që duhet të jetë në shërbim të politikës shtetrore, por si institucion i përbërë me individë të shoshitur nga partitë politike, nga koalicionet qeverisëse të deritanishme.
Dorën në zemër, të gjithë jemi për krijimin, zhvillimin e misioneve tona diplomatike, por për ato misione efikase, frytëdhënese.
Prandaj Ministria e Punëve të Jashtme duhët që t’i vë në lëvizje ‘’motorët’’ e saj, sepse Kosovës i duhen edhe më shumë njohje, i duhen edhe mënyra më efikase të të përfaqësuarit diplomatik.
Diplomacia dhe diplomatët kosovarë duhet të përpiqen të promovojnë interesin shtetëror përmes të kuptuarit, duke informuar dhe influencuar në audiencat e huaja, veçanërisht tek ato vende ku dominon një skepticizëm karshi Kosovës.