Reagim ndaj zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Rreth zhvillimeve që po e përcjellin Kuvendin e Republikës së Kosovës në javët e fundit, Qendra Kosovare për Diplomaci reagon duke i cilësuar ato si jodemokratike dhe të papranueshme.

‘’Aktet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk i shërbejnë as tejkalimit të bllokadës politike të krijuar në Kuvend, e as zgjidhjes së problemeve socio-politike me të cilat po përballet vendi.

Është momenti i fundit, që spektri politik kosovar, përmes rrugëve institucionale, në mënyrë demokratike, t’i përplasin argumentet e tyre, duke shmangur kështu çfarëdo dhune, qoftë brenda institucioneve të Kosovës, ashtu edhe jashtë tyre.

Përgjegjësia për cenim të demokracisë dhe dëmtim të imazhit të Kosoves, është e përbashkët, pozitë e opozitë!

QKD shpreson se përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës, do të reflektojnë në gjetjen e rrugës së tejkalimit të kësaj gjendje, dhe bashkërisht të punojnë në avancimin e interesave të qytetarëve të Kosovës”.

Qendra Kosovare për Diplomaci

Prishtinë. 08.10.2015