117 pjesëmarrës nga mbarë bota morën pjesë në Akademinë Verore Ndërkombëtare

Qendra Kosovare për Diplomaci në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Universum” ka organizuar në Prishtinë edicionin e gjashtë të Akademisë Verore Ndërkombëtare, e që për fokus ka ‘’Ndërtimin e Paqes në vendet post-konfliktuoze, Diplomacinë, Negociatat dhe Lidershipin’’.

E veçanta e këtij edicioni ishte organizimi i dy sesioneve, përkatesisht sesioni i korrikut (10-20 korrik) dhe sesioni i gushtit (1-11 gusht).

Në sesionin e korrikut kanë marrë pjesë 64 të rinjë nga 32 shtete të ndryshme të botës, si: SHBA, Britania e Madhe, Australia, Gjermania, Kanada, Belgjika, Italia, Kina, India, Kolombia, Shqipëria, Hong Kongu, Franca, Spanja, Malta, Afrika e Jugut, Austria, Holanda, Slovenia, Izraeli, Azerbajxhani, Turqia, Qipro, Algjeria, Taivani, Zvicrra, Polonia, Japonia, Irlanda, Rumania, Kosova.

Në sesionin e gushtit kanë marrë pjesë 53 të rinjë nga 25 shtete të ndryshme të botës, si: SHBA, Britania e Madhe Gjermania, Franca,Madagaskari, Italia, Spania, Maroko, Skocia, Polonia, Çekia, Greqia, Sllovenia, Kina, Irlanda, Kanada, Finlanda, Argjentina, Rumania, Kosta Rika, Austria, Holanda, Kolombia, Portugalia dhe Moldova.

Pjesëmarrësit gjatë dhjetë ditëve kishin rastin të ndjekin leksione nga ligjerues nga Amerika, Anglia, Franca, Holanda, Kosova, Maqedonia dhe Serbia, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të misioneve të huaja të akredituara në Kosovë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Bashkëthemeluesi i Qendrës Kosovare për Diplomaci, njëherësh themelues dhe drejtor i këtij programi, Labinot Hajdari tha se organizimi i Akademisë Verore po shërben tek studentët ndërkombëtar që të marrin informata të dorës së parë për Kosovën, për të kaluarën nëpër të cilën ka kaluar vendi, si dhe për progresin e bërë.

“Për Kosovën është instaluar një propagandë e keqe, dhe kjo Akademi tashmë tradicionale po sherbenë që studentët pas kthimit në shtetet e tyre të kenë mendim dhe qasje tjetër për Kosovën. Përmes këtij programi po kontribuojm në ndërtimin e imazhit pozitiv për Kosovën! Secili nga këta të rinjë ka marr me vete përshtypjet dhe informatat më të mira për Kosovën, e që janë krejtësisht ndryshe me ato informata të cilat i kishin para ardhjës në Kosovë”, theksoi z.Hajdari.

Pjesëmarrësit, përveç ligjeratave të rregullta, dhe vizitave studimore në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës, kanë vizituar edhe vendet historike dhe kulturore, si Prizrenin, Prekazin, Mitrovicën, Shpellën e Gadimës, Ujëvarën e Mirushës, Drinin e Bardhë dhe Kalanë e Artanës.